Arsimi, Edukimi, Shkenca, Kultura dhe Rinia

Arsimi, edukimi, shkenca dhe kultura janë shtyllat kryesore të një shoqërie dhe të një vendi që ndikojnë drejtpërsëdrejti në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror dhe intelektual. Partia Demokratike e Diasporës angazhohet që sistemi arsimor i Kosovës nuk është i zhvilluar në nivel të mjaftueshëm andaj angazhohet për reformim të këtij sistemi në bazë të nevojave shoqërore për një arsim bashkëkohor.

Krahas ndërtimit te objekteve shkollore rol vendimtar ka edhe specializimi i punëtorëve arsimor dhe Partia Demokratike e Diasporës angazhohet që punëtorët arsimor të gëzojnë status të merituar në shoqërinë kosovare.

Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për sistemin arsimor pa ndikime ideologjike. Ne vlerësojmë dhe respektojmë specifikat kulturore që duhet të përfaqësohen në sistemin edukativo-arsimor. Ne angazhohemi për një sistem unik, modern dhe cilësor të arsimit si dhe përpiqemi që të ndërtojmë një shoqëri të bazuar në dije dhe edukim në të cilën arsimi do të trajtohet si një nga aspektet kryesore të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik.

Arsimi superior duhet të jetë në përputhje me standardet dhe kriteret e universiteteve evropiane, me qëllim që studentëve të sigurohet cilësia dhe mundësia për qasje në universitete jashtë vendit. Ne angazhohemi për një trend bashkëkohor të zhvillimit të shoqërisë kosovare në përputhje me kërkesat dhe nevojat për zhvillim kulturor dhe shkencor duke investuar në arsimim profesional me qëllim të inkurajimit të projekteve kërkimore-shkencore.

Partia Demokratike e Diasporës angazhohet që përmes projekteve efikase edukative të trajtoj edhe dukurinë e analfabetizmit, dhe të sigurojë arsimim të nevojshëm për çdo qytetar. Vëmendje të veçantë do të kushtohet arsimimit të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe të kategorive tjera.

Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore kombëtare dhe për këmbime të këtyre vlerave në nisma regjionale, evropiane dhe botërore.

Diversiteti kulturor dhe fetar i Kosovës konsiderohet si një thesar i cili duhet te promovohet dhe të shfrytëzohet si urrë lidhëse ndërmjet komuniteteve dhe shteteve ballkanike dhe evropiane.

Partia Demokratike e Diasporës angazhohet në depolitizimin e institucioneve kulturore, ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të mirëfillta kulturore, ngritjen e standardeve etike dhe kulturore të shoqërisë, promovimin e dialogut ndërkulturor, ndëretnik dhe ndërfetar.

Partia Demokratike e Diasporës angazhohet që të përfshihet në rrjedhat kulturore botërore dhe evropiane duke afirmuar dhe promovuar trashëgiminë kulturore të Kosovës. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zhvillimit të teknologjisë informatike dhe aplikimin e të arriturave të saj në sistemin edukativo-arsimor.