PROGRAMI POLITIK I PARTISË DEMOKRATIKE TË DIASPORËS
Ky Program përmban parimet mbi të cilat mbështetet veprimi politik i Partisë Demokratike të Diasporës frymëzuar nga vlerat, traditat, përvojat pozitive historike, shoqërore dhe nacionale të Kosovës.
Ky Program i aprovuar nga kuvendi themelues i Partisë Demokratike të Diasporës, paraqet platformën për zhvillimin dhe zbatimin e veprimtarisë gjithëpërfshirëse të Partisë Demokratike të Diasporës
PARTIA DEMOKRATIKE E DIASPORËS
( PREAMBULA )
Partia Demokratike Diasporës (PDD) është iniciuar nga një grup i bashkatdhetarëve tanë dhe është mbeshtetur dhe përkrahur nga qytetarë, të rinjët në Kosovë me ndihmën e të cilëve edhe është regjistruar si parti politike në Komisionin Qendror Zgjedhor të Republikës së Kosovës.
Partia Demokratike e Diasporës (PDD) përfaqëson spektrin e vlerave dhe traditave të qytetarisë. Shoqëria jone mbështetet në besim tek Zoti, në dashuri për atdhe, familje, shtet dhe liri. Beson në fuqinë e lirisë së individit, të fjalës së lirë, të shprehjes së mendimit kritik, të iniciativës së lirë qytetare dhe fuqishëm kundërshton çdo përpjekje për zhvlerësimin e tyre.
Partia Demokratike e Diasporës (PDD) është subjekt politik i qendrës së djathtë që përmban këto vlera: angazhim të përhershëm për shtet dhe institucione funksionale, familje, shoqëri, traditë, liri, drejtësi, prosperitet, tolerancë shoqërore dhe fetare, si vlera bazike dhe të patjetërsueshme të shoqërisë kosovare, duke u mbështetur në RREGULA, PUNË, KONTROLL, dhe gjithmonë duke ngritur VETËDIJEN, MORALIN DHE VLERAT ATDHETARE.
Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm, i qeverisur nga përfaqësuesit e zgjedhur që duhet t’i respektojnë dhe t’i mbrojnë të drejtat e garantuara të qytetarëve me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Konventa ndërkombëtare.
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për një shtet, shoqëri të së drejtës dhe me mundësi të barabarta që synon përfaqësimin e çdo kategorie shoqërore përmes votës se lirë me qëllim te udhëheqjes se institucioneve shtetërore.
Anëtar i PDD-së mund të bëhet çdo qytetarë i Republikës së Kosovës, pa dallim gjinie, gjuhe, orientimi, race, kombësie, religjioni, aftësie fizike etj., i/e cili duhet t’i ketë mbi 18 vjet. dhe i/e cili/a pranon dispozitat e këtij Statuti, Programit dhe akteve të Partisë Demokratike të Diasporës.
DEKLARATA PROGRAMORE
Partia Demokratike e Diasporës (PDD) është subjekt politik mbi bazë të bashkimit vullnetar të qytetarëve të pakënaqur me zhvillimet dhe proceset demokratike, politike, ekonomike, sociale e kulturore në vend dhe të frymëzuar nga vlerat e lirisë së individit, të fjalës së lirë, të shprehjes së mendimit kritik, të bindjes së lirë, të manifestimit dhe mbrojtjes së identitetit, të iniciativës së lirë qytetare, të përkushtuar në fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe të institucioneve me një qeverisje të ndershme me përfaqësim gjithëpërfshirës të qytetarëve.
Partia Demokratike e Diasporës (PDD) vepron në bazë të orientimeve dhe parimeve politike të demokracisë, si parti politike e qendrës së djathtë, që respekton dhe angazhohet për vlera të identitetit kombëtar, shtetëror, familjar, për liri dhe tolerancë fetare dhe për një shtet të fuqishëm të së drejtës.
Partia Demokratike e Diasporës (PDD), mbështetet në vlera universale të Të drejtave themelore të njeriut dhe kundërshton fuqishëm dukuritë negative shoqërore dhe ideologjitë ekstreme, totalitare dhe diskriminuese.
Partia Demokratike e Diasporës (PDD) angazhohet fuqishëm për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve te Bashkuara si dhe integrimin e saj në strukturat Euroatlantike, Bashkimin Evropian, NATO dhe organizatat të tjera nderkombëtare dhe pjesëmarrjen në bashkëpunimet rajonale, si proces jetik të zhvillimit politik, ekonomik dhe social etj.
Partia Demokratike e Diasporës (PDD) është parti e re e cila perfaqesohet nga ekspert dhe intelektuale te sferave te ndryshe Objektivat kryesorë të janë: Fuqizimi dhe modernizimi i shtetit; Fuqizimi dhe modernizimi i shëndetsisë së Kosovës; Fuqizimi dhe modernizimi i ekonomise në Kosove; Fuqizimi i arsimit, sportit dhe kulturës.
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për mundësi të barabarta të secilit qytetar për respektimin e të drejtave të njeriut, për sundim të ligjit duke respektuar pavarësinë dhe ndarjen e legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit.
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për një sistem zgjedhor demokratik, të barabartë, te lirë dhe me votim te fshehtë, që mundëson legjitimitetin e plotë të përfaqësuesve të zgjedhur si në nivel lokal ashtu edhe qendror dhe për ushtrimin e përgjegjshëm të institucioneve të dala nga vota e lirë.
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për avancimin dhe ruajtjen e rendit kushtetues dhe sovranitetin që buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet nëpërmjet përfaqësueseve të zgjedhur dhe angazhohet fuqishëm për decentralizimin e institucioneve në të gjitha nivelet në mënyrë që pushteti të jetë sa më afër qytetarit.
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për sigurimin e kushteve të duhura politike, ekonomike dhe kulturore të cilët u mundësojnë komuniteteve dhe pjesëtareve të tyre që te ruajnë, të mbrojnë dhe te zhvillojnë identitetin e tyre. Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për promovimin e frymës së tolerancës, dialogut dhe mbështet pajtimin ndërmjet komuniteteve duke respektuar standardet e përcaktuara me konventa ndërkombëtare.
Mbrojtja dhe Siguria
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për zbatimin e ligjit, sigurinë publike, të drejtat e qytetarëve, transparencën e plotë të institucioneve në pajtim me standardet demokratike dhe me të drejtat e njeriut të njohura
ndërkombëtarisht. Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për inkuadrimin e Kosovës ne mekanizma ndërkombëtare të sigurisë dhe për respektimin e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare si dhe është për bashkëpunim me organe ndërkombëtare të sigurisë si rajonale ashtu edhe me gjerë.
Zhvillimi Ekonomik
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për krijimin e mundësive dhe iniciativave private në bazë të parimeve të tregut të lirë dhe të konkurrencës së shëndoshë si dhe në krijimin e kushteve adekuate ekonomike dhe ligjore për lëvizjen e lirë të mallit, fuqisë punëtore dhe kapitalit financiar.
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për promovimin dhe implementimin e politikave fiskale favorizuese për ekonominë e vendit që do të mundësonte zhvillimin e prodhuesve vendor dhe plasmanin e produkteve të tyre në tregjet regjionale.
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për krijimin e kushteve favorizuese për investimet e huaja në mënyrë që ky kapital të mundësojë hapjen e vendeve të reja të punës dhe kapacitete prodhuese. Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për përmirësimin e kornizës ligjore dhe zvogëlimin e burokracisë në raport me regjistrimin dhe funksionalizimin e bizneseve, me qëllim te inkurajimit te investimeve te huaja në ekonominë e vendit.
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për përmirësimin e politikës agroindustriale dhe zhvillimin rural si interes strategjik kombëtar dhe mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës, zhvillimin simetrik ekonomik dhe uljen e deficitit tregtar.
Partia Demokratike e Diasporës inkurajon zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla, të mesme dhe të mëdha, lehtësitë doganore, stimulon politikat eksportuese sidomos në fushat ku vendi ynë ka potencial si në industrinë bujqësore, ushqimore, metalurgjike, përpunimit të drurit dhe zhvillimin e turizmit në përgjithësi.
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për mbrojtjen dhe menaxhimin e resurseve natyrore dhe mbrojtjen mjedisore me qëllim të baraspeshimit të kërkesave dhe nevojave për zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjes së ambientit. Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe publike përmes një procesi të drejtë dhe transparent.
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ekonomike dhe financiare regjionale, nderkombtare dhe më gjerë si dhe për respektimin e të gjitha marrëveshjeve dhe protokolleve bilaterale dhe multilaterale.
Shëndetësia dhe Politika Sociale
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet në përmirësimin e politikave shëndetësore duke ngritur si kapacitetet e institucioneve primare, sekondare dhe terciare shëndetësore ashtu si dhe kapacitet profesionale.
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet që politikat shëndetësore të jenë në funksion dhe sa më afër qytetarit duke forcuar rolin e Qendrave të mjekësisë familjare dhe Spitaleve regjionale.
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet në uljen e shkallës së sëmundjeve dhe vdekshmërisë, nëpërmjet ngritjes së cilësisë të shërbimeve shëndetësore sipas standardeve bashkëkohore. Ngritja e kapaciteteve për kujdesin parësor shëndetësor është thelbësore për edukimin shëndetësor të familjes dhe për zbatimin e sistemit të informimit shëndetësor.
Partia Demokratike e Diasporës, angazhohet në krijimin e kushteve favorizuese legjislative për funksionimin e sistemit shëndetësor në përgjithësi dhe të sistemit të sigurimit shëndetësor në veçantiPartia Demokratike e Diasporës angazhohet për mirëqenie dhe mundësi të barabarta. Fondet për nevoja sociale duhet të përkojnë me mundësitë ekonomike, si dhe fondet ekzistuese të shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe racionale.
Të sigurohen fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e familjeve të dëshmorëve, veteranëve të luftës, invalidëve të luftës, viktimave civile të luftës, përmirësimin e statusit material dhe shoqëror të personave me aftësi të kufizuar dhe në veçanti te fëmijëve pa kujdes prindëror.
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për avancimin e dialogut te hapur ndërmjet punëdhënësve, organizatave sindikale dhe qeverisë për përmirësimin e kushteve të punës si dhe për sigurimin e fondeve pensionale me qëllim të kthimit të dinjitetit të pensionistëve. Partia Demokratike e Diasporës Angazhohet për reformimin e sistemit shëndetësor me aplikimin e sistemit shëndetësor alternativ dhe krahas sistemit ekzistues pensional edhe për atë pensional komercial.
Arsimi, Edukimi, Shkenca, Kultura dhe Rinia
Arsimi, edukimi, shkenca dhe kultura janë shtyllat kryesore të një shoqërie dhe të një vendi që ndikojnë drejtpërsëdrejti në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror dhe intelektual. Partia Demokratike e Diasporës angazhohet që sistemi arsimor i Kosovës nuk është i zhvilluar në nivel të mjaftueshëm andaj angazhohet për reformim të këtij sistemi në bazë të nevojave shoqërore për një arsim bashkëkohor.
Krahas ndërtimit te objekteve shkollore rol vendimtar ka edhe specializimi i punëtorëve arsimor dhe Partia Demokratike e Diasporës angazhohet që punëtorët arsimor të gëzojnë status të merituar në shoqërinë kosovare.
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për sistemin arsimor pa ndikime ideologjike. Ne vlerësojmë dhe respektojmë specifikat kulturore që duhet të përfaqësohen në sistemin edukativo-arsimor. Ne angazhohemi për një sistem unik, modern dhe cilësor të arsimit si dhe përpiqemi që të ndërtojmë një shoqëri të bazuar në dije dhe edukim në të cilën arsimi do të trajtohet si një nga aspektet kryesore të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik.
Arsimi superior duhet të jetë në përputhje me standardet dhe kriteret e universiteteve evropiane, me qëllim që studentëve të sigurohet cilësia dhe mundësia për qasje në universitete jashtë vendit. Ne angazhohemi për një trend bashkëkohor të zhvillimit të shoqërisë kosovare në përputhje me kërkesat dhe nevojat për zhvillim kulturor dhe shkencor duke investuar në arsimim profesional me qëllim të inkurajimit të projekteve kërkimore-shkencore.
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet që përmes projekteve efikase edukative të trajtoj edhe dukurinë e analfabetizmit, dhe të sigurojë arsimim të nevojshëm për çdo qytetar. Vëmendje të veçantë do të kushtohet arsimimit të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe të kategorive tjera.
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore kombëtare dhe për këmbime të këtyre vlerave në nisma regjionale, evropiane dhe botërore.
Diversiteti kulturor dhe fetar i Kosovës konsiderohet si një thesar i cili duhet te promovohet dhe të shfrytëzohet si urrë lidhëse ndërmjet komuniteteve dhe shteteve ballkanike dhe evropiane.
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet në depolitizimin e institucioneve kulturore, ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të mirëfillta kulturore, ngritjen e standardeve etike dhe kulturore të shoqërisë, promovimin e dialogut ndërkulturor, ndëretnik dhe ndërfetar.
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet që të përfshihet në rrjedhat kulturore botërore dhe evropiane duke afirmuar dhe promovuar trashëgiminë kulturore të Kosovës. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zhvillimit të teknologjisë informatike dhe aplikimin e të arriturave të saj në sistemin edukativo-arsimor
Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe Politika e Jashtme
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet fuqishëm që Kosova si një vend sovran dhe i pavarur, të kontribuojë në fuqizimin e bashkëpunimit regjional, me qëllim të promovimit të stabilitetit dhe prosperitetit regjional në frymën e synimeve për integrim evropian.
Partia Demokratike e Diasporës promovon politikat e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit konstruktiv regjional. Kjo qasje paraqet parimet themelore të politikes për bashkëpunim regjional dhe ndërkombëtar.
Partia Demokratike e Diasporës angazhohet në ndërtimin e marrëdhënieve konstruktive dhe për anëtarësimin e Kosovës në asociacione dhe organizma ndërkombëtare.
Tradita, Familja dhe Shoqëria
Partia Demokratike e Diasporës promovon dhe angazhohet për mbrojtjen dhe afirmimin e traditave pozitive dhe vlerave familjare si bazë për një shoqëri të qëndrueshme dhe të shëndetshme. Ne angazhohemi në mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të gruas, nënës dhe fëmijëve si dhe në përmirësimin e kushteve të tyre jetësore.
Ne angazhohemi në parandalimin e të gjitha dukurive negative shoqërore, me theks të veçantë në luftimin e fenomeneve devijuese të shoqërisë si alkoolizmi, narkomania dhe prostitucioni.
Partia Demokratike e Diasporës prioritet të veçantë i kushton ruajtjes së familjes si vatër e vlerave morale dhe etike dhe faktor i rëndësishëm në ngritjen dhe edukimin e njeriut. Roli i gruas në këtë mision është i pazëvendësueshëm. Gruaja që lind dhe me sukses e ngrit dhe edukon pasardhës kryen një rol të rëndësishëm shoqëror. Partia Demokratike e Diasporës angazhohet për mbrojtje të posaçme të gruas dhe të nënave me më shumë se tre fëmijë në aspektin e kujdesit shëndetësor, përfitimeve nga fondet publike për fëmijë, njohja e stazhit punues dhe mundësia e punës me orar të shkurtuar, etj.
Struktura
Struktura e PDD-së konsiston ne funksionimin e ekspertëve të saj të cilët funksionojne në dapartamente të fushave të ndryshme, njerëz me përgatitjen e duhur profesionale, që janë koka të mendimit dhe veprimit në ato fusha. Ekspertet e Partisë Demokratike të Diasporës do jenë bartës të zhvillimit dhe funksionimit të fushave të cilat do të ndikojnë në zhvillimin ekonomit të vendit dhe integrimin e vendit në strukturat Euroatlantike. Ekspertët e PDD-së funksionojnë si strukturë në bazë të dapartamenteve e të cilat janë:
- Departamenti i punëve të brendshme;
- Departamenti i punëve të jashtme;
- Departamenti i ekonomisë;
- Departamenti i drejtësisë;
- Departamenti i punës dhe politikës sociale;
- Departamenti i ekologjisë;
- Departamenti i shëndetit;
- Departamenti i transportit dhe lidhjeve;
- Departamenti i mjedisit dhe planifikimit hapësinor;
- Departamenti i bujqësisë,pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave,
- Departamenti i kulturës qytetare;
- Departamenti i mbrojtjes;
- Departamenti i arsimit dhe shkencës;
- Departamenti i shoqërisë informatike dhe administratës shtetërore;
- Departamenti i qeverisjes lokale.
- Departamenti i rinisë.
Përfundimi dhe Konkluzonet
Kosova është duke kaluar nëpër sfida serioze politike dhe shoqërore drejt realizimit të synimeve shtet-ndërtuese. Problemet serioze politike, ekonomike dhe shoqërore ndikojnë negativisht në jetën e përditshme dhe në ardhmërinë e qytetarit. Me siguri se këto mund te tejkalohen fal formacionit tonë të ri politik, dinamik dhe vizionar i cili qytetarit synon te sjellë prosperitet, siguri dhe mirëqenie, dhe do të prijë proceseve dhe projekteve politike drejt të së ardhës së ndritshme.
Në këtë kohë mungesash të koncepteve të mirëfillta dhe zhvlerësimit të vlerave ku fjala e humb kuptimin, Kosova ka nevojë imediate për një botëkuptim të ri, të ndershëm dhe për një lëvizje të vendosur që paraprinë proceseve vendimmarrëse me kuadro të aftë për t’u ballafaquar me sfida përmes programeve dhe projekteve ambicioze dhe konkrete.
Të gjitha këto projekte zhvillimore ekonomike me një shoqëri të së drejtës që siguron zbutjen e varfërisë, krijimin e vendeve të reja të punës dhe tejkalimin e dallimeve shoqërore do t’i realizojë formacion ynë politik dhe dinamik.
Partia Demokratike e Diasporës do te jetë faktor integrues, përqafues dhe promovues i paqes shoqërore, fuqizues i besimit në mes të institucioneve dhe qytetarëve. Kosova me të gjitha dallimet dhe ngjashmëritë si dhe me pasuritë e veta ka potencial të madh të bëhet faktor regjional stabilizues si promotore e zhvillimit, paqes, lumturisë dhe mirëqenies, si dhe duhet që të udhëhiqet nga njerëz të ndershëm me vullnet politik dhe vendosmëri.
Sfidat e Kosovës nuk janë pa zgjidhje sepse vendi ynë ka: Popullsi te re dhe dinamike, virtyte, vlera, gatishmëri për solidaritet dhe sakrificë mbarëkombëtare si karakteristika dalluese te traditës kombëtare, resurse me pasuri
natyrore nëntokësore dhe mbitokësore, trashëgimi të pasur historike dhe kulturore, pozitë të mirë gjeostrategjike me ndikim, bukuritë natyrore atraktive turistike me monumente kulturore dhe historike,
Prandaj, Kosova s’është pa zgjidhje. Gjithsesi, duhet aktivizuar këtë potencial të madh. Dhe kjo është arsyeja e prezencës dhe angazhimit tonë në skenën politike si një potencial dhe mundësi e madhe për Kosovën. Ne jemi të vendosur që popullin të bëjmë të lumtur dhe krenar.
Me qëllim të jetësimit te kësaj ëndrre është themeluar Partia Demokratike e Diasporës e cila është një Parti popullore. Partia Demokratike e Diasporës me kuadrot e veta të ndershme, guximshme, dinamike, parimore dhe me një vizion të qartë politik synon t’i zgjidh problemet shoqërore, politike dhe ekonomike të trashëguara prej kohesh.
Partia Demokratike e Diasporës synon t’i zgjidh problemet e vendit me projekte origjinale dhe të qëndrueshme, duke gërshetuar traditën dhe modernen.
Partia Demokratike e Diasporës në qendër të vëmendjes e ka qytetarin dhe shtetin. Populli ynë s’është pa shpresë dhe pa zgjidhje sepse populli është vet zgjidhja. Partia Demokratike e Diasporës identifikohet me popullin që të rivendos ndjenjën e humbur të besimit. Jemi të vendosur që secilit qytetar ta ringjallim ndjenjën e besimit drejt të një ardhme ku ndihet pjesëtar i denjë i shoqërisë kosovare pa qenë i shpërfillur.
Vizioni politik i Partia Demokratike e Diasporës nuk është përjashtues, por përqafues, jo përçarës por bashkues që i mbron te nëpërkëmburit nga pushteti abuziv. Me qëllim të realizimit të këtyre objektivave ne do të: afirmojmë gjithandej vizionin tonë për të drejtat dhe liritë, ofrojmë zgjidhje gjithëpërfshirëse për problemet serioze me të cilat ballafaqohet Kosova, ofrojmë institucioneve tona projekte zhvillimore dhe prodhuese me aktivizimin e resurseve njerëzore dhe natyrore duke i menaxhuar në mënyre racionale, zbusim dallimin e madh në shpërndarjen e të mirave shoqërore dhe ekonomike për të përmirësuar nivelin e mirëqenies qytetare,
përfshijmë qytetarët, grupet e interesit dhe organizatat joqeveritare në jetën institucionale, angazhohemi për transparencë dhe llogaridhënie në të gjitha sferat e jetës publike, promovojmë dhe zbatojmë programe për zhvillim ekonomik, politik, kulturor, artistik, arsimor dhe shëndetësor.
Ne thellësisht besojmë që programi ynë politik ofron zgjidhje adekuate për çështjet e rënda dhe të pazgjidhura të Kosovës duke hapur perspektiva të reja.
Veçantia e programit tonë është që aktualen e pranojmë në mënyrë reale dhe të nesërmen e projektojmë në mënyrë të drejtë.
Urojmë që ky Program të cilin ia prezantojmë popullit tonë të shënoj një fillim të mbarë për një Kosovë të re.
Përpjekja dhe ndjenja për sakrificë, ndershmëria, vendosmëria dhe sinqeriteti janë imanente për shoqërinë tonë.
Partia Demokratike e Diasporës
Prishtinë, Mars 2018